Dega e LDK-së në Ferizaj nga e shtuna edhe zyrtarisht ka mbetur pa kryetarin e saj. Profesori Xhemail Fejzullahu ka ofruar dorëheqje. Ai këtë gjë e kishte paralajmëruar edhe përpara, kur në një konferencë për media e kishte bërë publik faktin se nuk do të jetë kandidat për kryetar komune i kësaj partie.
Profesor Fejzullahu nuk ka dashur ta komentojë dorëheqjen e tij. Arsyen e vetme që ka përmendur, ka thënë se do t’i përkushtohet profesionit të tij prej inxhinieri dhe profesori. Ai ka pranuar se do të mbetet anëtar i thjeshtë i LDK-së.
Burime nga Dega thonë se profesor Fejzullahu nuk ka gjetur përkrahjen e duhur në këtë Degë të mbetur në dy grupime edhe pas ndarjes së ashpër që ndodhi kur u ça në dysh kjo parti.
Duket se ish kryetari i komunës së Ferizajt, Faik Grainca dhe nënkryetar i kësaj Dege, do ta marrë për ta udhëhequr Degën, me pretendime të jetë edhe kandidat për kryetar komune i kësaj partie.
Burime nga kjo parti thonë se në këtë Degë kanë kërkuar mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku do të caktohej edhe kandidati për kryetar komune, por një gjë të tillë, sipas këtyre burimeve, e ka kundërshtuar kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.
Meqë profesor Fejzullahu është nga autoritetet më të respektuara në komunën e Ferizajt, besohet shumë se me ikjen e tij nga LDK-ja, aderimet nga kjo parti në atë të Adem Salihajt, përkatësisht në LDD-së do të jenë edhe më të mëdha.