Ka nisur procesi i instalimit të kamerave, përmes të cilave do
të monitorohet numërimi i votave për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri
.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani
ka garantuar transparencë maksimale gjatë vizitës që bëri të shtunën në
Vendin e Numërimit të Votave (VNV) të vendosur në palestrën e shkollës
"Hasan Prishtina", në Tiranë. Vend, ku është vënë në funksionim të
plotë sistemi i kamerave për monitorimin e procesit të numërimit të
votave.
"Në 66 VNV-të në mbarë vendin ka filluar montimi i teknologjisë për
numërimin e votave. Një projekt që ka kushtuar më pak se 1.5 milionë
euro", tha Ristani.
Një sistem kamerash i instaluar në palestrën e Shkollës "Hasan
Prishtina", në kryeqytet, paraqet pamje të qarta nga 5 tavolinat e
vendosura në sallë për numërimin e votave. Ndërsa në ekrane të posaçme
televizive, vëzhguesit kanë mundësi të ndjekin fletë pas flete mënyrën
e votimit.
Të gjitha pamjet e përftuara nga kamera qendrore 360 gradë, do të
ndiqen online nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe kështu mund të
mbahen nën kontroll 66 VNV-të në gjithë Shqipërinë.
Sipas Kreut të KQZ-së, Ristani "ky projekt siguron një transparencë
maksimale, si dhe bënë të mundur marrjen në kohë të rezultateve nga të
66 Vendet e Numërimit të Votave".
"Nga ana tjetër, në çdo VNV do të sigurohet një vend i mjaftueshëm për
vëzhguesit të cilët do të mund të ndjekin nëpërmjet ekranit, mënyrën se
si është votuar", sqaroi ai, duke shtuar se ata do të jenë shumë afër
edhe me anëtarët e grupit të numërimit të votave.
Sipas Ristanit, deri tani janë montuar disa Vende të Numërimit të Votave në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd.