P A R A T H Ë N I E
Historia e Shqipërisë nën sundimin osman gjatë shek. XVI-XVIII ka qenë trajtuar, si pjesë e tretë e vëllimit të parë të Historisë së Shqipërisë, botuar në Tiranë në vitin 1959, shkruar nga një grup autorësh.
Në vitin 1972 u botua si dispensë (Pjesa III e vëllimit të parë), tekst për studentët e universiteteve të vendit, e shkruar nga Selami Pulaha dhe Stavri Naçi. Në vitet 1983-1984, kur u botuan vëllimet II, III dhe IV të Historisë së Shqipërisë, kjo pjesë, ashtu si gjithë vëllimi i parë, nuk u botua. Ajo u ruajt si dorëshkrim në Arkivin e Institutit të Historisë dhe u vu në përdorim të pedagogëve e të studiuesve.
Në këtë botim të ri të Historisë së popullit shqiptar, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI - vitet 20 të shek. XIX përbën pjesën e tretë të vëllimit të parë dhe është shkruar nga këta autorë:
Kreu I (1,2,4), Zhvillimi ekonomik i tokave shqiptare (shek. XVI - mesi i shek. XVIII), dhe Kreu II, Zhvillimi politik i tokave shqiptare. Kryengritjet e armatosura (shek. XVI – mesi i shek. XVIII), janë hartuar nga prof. dr. Selami Pulaha dhe janë redaktuar nga prof. dr. Petrika Thëngjilli. Zona e çifligut (Kreu I/3) është shkruar nga prof. dr. Petrika Thëngjilli.
Kreu III, Ndryshimet në strukturën fetare të popullit shqiptar. Përhapja e fesë islame (shek. XV-XIX), është shkruar nga Ferit Duka.
Kreu IV, Pashallëqet e mëdha shqiptare (1771-1831), është hartuar nga dr. Stavri Naçi dhe është redaktuar nga prof. as. dr. Ferid Duka.
Kreu V, Kultura dhe arsimi në shek. XVI-XVIII është shkruar nga një grup autorësh:
Koha e përhapjes së fjalëve shqip, shqiptar dhe Shqipëri nga prof. Shaban Demiraj; Letërsia shqipe në shek. XVI-XVII dhe Letërsia shqipe gjatë shek. XVIII nga prof. dr. Jorgo Bulo; Arsimi dhe kultura në qytetin e Voskopojës nga prof. Dhimitër Shuteriqi; Arkitektura në shek. XV-XVIII nga prof. dr. Gjerak Karaiskaj; Artet figurative në shek. XVI-XVIII nga Mustafa Arapi dhe Gazmend Muka.
Për hartimin e Kreut III të kësaj pjese është pasur në konsideratë në mënyrë të veçantë studimi i prof. dr. Muhamet Tërnavës (Prishtinë) Ndryshime në strukturën fetare në Kosovë.