Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka njoftuar se skuadra e
tij do të blejë disa lojtarë në këtë afat kalimtar, ndërkohë ai ka
theksuar se javën e ardhshme do të takohet me agjentin e Samuel Eto'o-s
për të diskutuar për të ardhmen e sulmuesit kamerunas.
“Do
të nënshkruajmë me tre ose katër lojtarë të rinj të nivelit të lartë
për t’i plotësuar pozitat për të cilat stafi trajnues mendon se ka
nevojë për përforcime”.
“Ne e dimë se lojtarët dëshirojnë të vijnë te Barcelona, pasi që
projekti ynë është solid. Ne dëshirojmë të transferojmë lojtarë për një
çmim të arsyeshëm, pasi në këtë kohë të krizës ekonomike dëshirojmë të
japim një shembull të mirë”, ka thënë Laporta për “Sport”.
Më tutje, Laporta ka folur për sulmuesin Eto’o, duke mos detajizuar
largimin apo qëndrimin e tij, por ka lënë të hapur çdo mundësi, mirëpo
parimisht Laporta dëshiron të dëgjojë çfarë kërkon kamerunasi.
“Ne dëshirojmë t’i dimë planet e Eto’-s. Ne dëshirojmë ta trajtojmë
mirë lojtarin i cili na ka dhënë gjithçka, dhe kur e them këtë nuk
mendoj vetëm për golat, por edhe për qëndrimin dhe karakterin tij”.
“Samu është një lojtar i shkëlqyer dhe për të ka shumë oferta. Kemi
caktuar takime me agjentin e tij për javën e ardhshme ku të dyja palët
do t’i tregojnë qëndrimet e tyre”, ka shtuar presidenti i Barcës.