bLeenndoo.xX Moderator
Numri i postimeve : 515 Poenat e Antarit : 1428 Thanks : 3 Join date : 28/05/2009 Age : 29 Location : Kosova,Vushtrri
| Titulli: Sociologjia e Gjakmarrjes . pjesa e dyt Tue Jun 16, 2009 12:06 am | |
| “Udhëtari kurioz nga perëndimi”, shkruante ajo më 1909 në librin e saj të njohur High Albania, “mbetet i mahnitur midis tyre [shqiptarëve], i mbushur me hamendje të paqarta mbi djepin e racës së tij, dhe thotë: “Kështu kam bërë edhe unë mijëra vjet më parë; kështu shtrihesha edhe unë në pritje të armikut tim; kështu kam menduar dhe kështu kam bërë edhe unë në fillim të Kohës’”. Ne dimë fare pak mbi origjinën e gjakmarrjes në Shqipërinë e veriut për të qenë në gjendje të vlerësojmë “teoritë” e diskutuara më sipër. Megjithatë, si studiues, më duhet të regjistroj skepticizmin tim mbi impaktin shpjegues të tyre. Ato duket se ndihmojnë fare pak si në kuptimin sociologjik të gjakmarrjes ashtu edhe të rëndësisë psikodinamike të saj si një formë e veçantë, rigorozisht dhe juridikisht e përcaktuar sjelljeje sociale, si një institucion korrektues dhe si një formë besimi dhe organizimi shoqëror universalisht i respektuar në malësitë e Shqipërisë së veriut. Përkundrejt shpjegimeve të mësipërme, është me interes të konsiderojmë, si një kontekst i mundshëm teorik, apo të paktën si një ushtrim i dobishëm intelektual, se si mund të shpjegohet institucioni i gjakmarrjes nga këndvështrimi i teorisë funksionaliste. Funksionalizmi, siç vë në dukje sociologu i njohur amerikan, Alvin Gouldner, shpjegon “qëndrueshmërinë e formave shoqërore të sjelljes përsa i përket pasojave të tyre lidhur me sisteme shoqërorë ekzistues”. Si një supozim i parë mund të sugjerohet se për shkak se rregulli kryesor i gjakmarrjes është reciprociteti në çdo rast të dhënë (kokë për kokë, shpirt për shpirt, një jetë për një jetë), njëlloj siç gjëndet edhe në Testamentin e Vjetër të hebrenjve, koncepti i reciprocitetit merr një rëndësi të dorës së parë në shpjegimin e gjakmarrjes. Sociologu i shquar gjerman, George Simmel, vlerëson se jo vetëm në shoqëritë primitive, por në çdo shoqëri, marrëdhëniet midis anëtarëve të saj “bazohen në skemën e dhënies dhe marrjes së një ekuivalenti”. Koncepti i reciprocitetit është pra i nënkuptuar në çdo formë të sjelljes humane, kurse në rastin e gjakmarrjes ai ka qenë shprehimisht i formuluar në Kanun dhe rigorozisht i zbatuar në praktikë. Në kundërshtim me relativizmin kulturor, Gouldner sugjeron se norma e reciprocitetit është universale, “jo më pak universale dhe e rëndësishme si një element i kulturës se sa tabuja e inçestit”. Për shkak se gjaku mund të reciprokohej vetëm me gjak, ç’ka do të thotë se shkëmbimi ishte krejtësisht i njëjtë apo identik në formë, ky lloj reciprociteti ishte “homeomorfik”, term ky i përdorur nga Gouldner në dallim nga reciprociteti “heteromorfik”, kur ato ç’ka shkëmbehen janë të ndryshme në përmbajtje edhe pse të njëjta në vlerë. Duhet theksuar se nga pikëpamja e teorisë funksionaliste norma e reciprocitetit mund të shërbejë vetëm për të shpjeguar vazhdimësinë e zakonit të gjakmarrjes si një mekanizëm për ruajtjen e stabilititetit të atij sistemi shoqëror që e krijoi atë dhe që mbështetej në të, por jo si një “mekanizëm startues” për krijimin e atij sistemi. Teoria funksionaliste është e aplikueshme vetëm për sisteme ekzistues. Fokusi i saj është jo në “mekanizmat startues” që krijojnë një sistem të dhënë shoqëror, por në ata mekanizma përmes të cilëve një sistem i dhënë ruan ekzistencën e tij. Në dritën e këtij diskutimi, norma e reciprocitetit ndihmon fare pak për të shpjeguar se kur dhe pse gjakmarja filloi të bëhej një praktikë e zakonshme në Shqipërinë e veriut. Sidoqoftë, ajo ndihmon për të kuptuar pse, pasi u bë një praktikë sociale, gjakmarrja u kodifikua në të gjitha detajet dhe rregullat e saj të hollësishme, të cilat shërbyen për të ruajtur sistemin dhe stabilitetin e tij për qindra, në mos për mijëra vjet. Ne mund të mos jemi kurrë në gjendje të dimë se kur, pse dhe si malësorët e Shqipërisë së Veriut kanë filluar të hakmerren gjak për gjak, duke e shndërruar gjakmarrjen për një kohë shumë të gjatë në një normë dhe praktikë universalisht të pranuar dhe rigorozisht të sanksionuar, ç'ka u bë pjesë qëndrore e së drejtës së tyre zakonore. Natyrisht nuk kanë qenë një impuls primordial i tyre dhe asnjë psikologji apo karakter "unik" i shqiptarëve, as ndonjë formë presioni për kontrollin demografik, as klima, terreni apo faktorë të tjerë gjeografikë ata që e krijuan dhe ndihmuan në ruajtjen e praktikës kaq të përhapur të gjakmarrjes. Edhe pse teoria funksionaliste mund të mos jetë në gjendje të ofrojë një shpjegim të plotë mbi orgjinën e vandetave, ajo pa dyshim na ofron një kuadër për të arsyetuar mbi atë se çfarë qëndron pas ekzistencës së vazhdueshme të traditës së gjakmarrjes, përmes rregullit të "reciprocitetit" si një normë që ka shërbyer për ruajtjen e sistemit shoqëror ekzistues. Teoria funksionale ofron gjithashtu një shpjegim se si individët shoqërorë socializohen të luajnë një rol të caktuar në ruajtjen e sistemit të tyre shoqëror. Megjithëse, siç theksuam më sipër, ne mund të mos jemi kurrë në gjendje të përcaktojmë se çfarë ka shërbyer si "mekanizëm startues" i gjakmarrjes, kur ajo u bë një praktikë jetësore në Shqipërinë e veriut dhe reciprociteti u sanksionua si norma më e përshtatshme, kjo normë filloi gradualisht të internalizohej në të gjithë anëtarët e shoqërisë si e vetmja normë që e detyron palën e cila ka pësuar dëm e para të kërkojë të marrë hak në të njëjtën mënyrë. Shndërrimi i një praktike të tillë hakmarrëse në rutinë si edhe normat dhe regullat e mësuara, të internalizuara dhe të respektuara kolektivisht që shoqëronin fenomenin e gjakmarrjes ndihmuan në formimin e sjelljes së malësorëve, duke ndikuar që ata të besonin, si individë dhe si grup, se rregulla të tilla ishin tashmë të detyrueshme për këdo. Përmes një proçesi të tillë socializimi, norma e reciprocitetit dhe rregullat në të cilat u institucionalizua dhe kodifikua gjakmarrja gradualisht fituan atë ç'ka Gouldner e quan "një lloj legjitimiteti prima facie për anëtarë të grupit të socializuar siç duhet". E internalizuar në mënyrë të tillë, norma e reciprocitetit, siç e kuptoj unë atë, ka kryer një funksion të rëndësishëm në ruajtjen e sistemit shoqëror tribal në Shqipërinë e veriut dhe të së drejtës zakonore, e cila mbeti a pasfiduar nga influenca të huaja dhe nga çdo autoritet për një kohë shumë të gjatë. Ajo u bë, nëse përdorim gjuhën e studiuesit amerikan Robert Sugden, një "convention equilibria" e shoqërisë në malësitë e Shqipërisë së veriut. Për shkak se të drejtat dhe detyrimet e palëve ishin internalizuar si norma shoqërisht dhe juridikisht obliguese për të gjithë anëtarët e komunitetit, këta ishin të detyruar të merrnin pjesë në atë sistem organizimi shoqëror që përcaktonte dhe sanksiononte "ligji i maleve" apo Kanuni of Lekë Dukagjinit. Gouldner vë në dukje se "Norma e reciprocitetit jo vetëm luan një rol stabilizues në marrëdhëniet njerëzore në mungesë të një sistemi të përcaktuar mirë detyrimesh statutore specifike, por ajo kontribuon në stabilitetin shoqëror madje edhe kur këto detyrime janë të pranishme dhe të konsoliduara mirë". *
Ky artikull është pjesë e një studimi më të gjerë që autori, në bashkëpunim me sociologun amerikan Jay Weinstein, Profesor në Universitetin e Miçiganit, po përgatisin për botim në anglisht në formë librin nën titullin "Kanuni" (The Kanun). | |
|