bLeenndoo.xX Moderator
Numri i postimeve : 515 Poenat e Antarit : 1428 Thanks : 3 Join date : 28/05/2009 Age : 29 Location : Kosova,Vushtrri
| Titulli: “Moda është lumturi” Tue Jun 16, 2009 12:12 am | |
| Nuk gjen qetësi as edhe për një çast të vetëm, sidomos kur bëhet fjalë për të luajtur rolin e vetvetes. Dhe çfarë pjese ka vënë në skenë: Nosferatu, princi i natës. Është pak Nosferatu dhe pak Dorian Grei: gojët e liga thonë se sillet gjithnjë në këtë mënyrë për t‘u hedhur të gjithëve hi syve, në mënyrë që të shpërqendrohen e të mos jenë në gjendje të shohin moshën e tij të vërtetë. Këmisha e bardhë e ngrirë, e me jakë shumë të lartë, nën të cilën duket si i futur në allci, shërben për të fshehur rrudhat e qafës. Dorashkat gjysmake të punuara me lëkurë pitoni: nuk del kurrë pa to: edhe ato, sipas gojëve të liga shërbejnë për të fshehur dëmet e moshës. Sytë të fshehur në të gjitha rastet, nën një palë syze të errëta: edhe natën. Është vërtetë e vështirë të flasësh me dikë, madje kur bëhet fjalë për argumente të rëndësishme, pa pasur rastin asnjëherë, as edhe për një çast të vetëm, t‘i shohësh sytë. Kur e pyesin shpjegon se mban syze të errëta edhe natën, për t‘i parë gjërat në një tonalitet më të butë: “Në rast se vendos t‘i heq, njerëzit që më rrethojnë si me magji i vërej dhjetë vjet më të vjetër”. Dhe në fakt nuk i heq për asnjë arsye. Ja edhe stilisti më ekscentrik, më kozmopolit, më eruditi në botë. Stilisti? Jo vetëm. Karl Lagerfeld numëron një seri cilësish të tjera: është fotograf (ëndërron të kthehet në Helmut Njutonin e ri), krijues me zë në fushën e publicitetit, botues, sipërmarrës, koleksionist i çartur arti dhe në kohën e lirë edhe aktor. Prej pak kohësh është edhe pronar i një librarie, “7L”, e specializuar në libra arti, mode, fotografie, në zemër të botës së modës pariziene, në “Rue de Lille”, rruga ku banonte Lacan. Jo se qëndron pas banakut, por ndjek mbarëvajtjen e librarisë me shumë vëmendje. Pikërisht aty më lë edhe takim, në një dhomë të madhe në pjesën e prapme të librarisë, ku dominojnë tonet e buta të grisë dhe orenditë janë vendosur falë një rregulli rigoroz gjeometrik. Preteksti i intervistës është për të folur mbi fushatën e re publicitare, që sapo ka nënshkruar për shampanjën “Oenetheque” të “Dom Perignon”. Gjithçka e bazuar te luksi i shfrenuar e te shkëlqimi verbues. Detyroi të shkëputej nga rutina e përditshme e Claudia Schiffer, duke i garantuar pavdekësinë në një lloj fotoromani bardhë e zi, ku ajo mishëron me përsosmërinë e saj, personazhe, tipologji, maskime të përkëdhelura nga fantazia mashkullore: grua në karrierë, kameriere, gejshe, këngëtare afrikane, një Maria Antonietta të pazakontë, që shfaqet në forma të ndryshme dhe e prirur drejt metamorfozës, në varësi të këndeve të shikimit, tamam si shampanja e një marke të madhe. E le të përgatitemi për fushatën e vitit të ardhshëm, gjithnjë për llogari të “Dom Perignon”. Lagerfeld e ka të tërën në kokë: “Protagonistja do të jetë Gisele Bundchen, prototip i gruas së fortë, në një riinterpretim të “Laisons dangereuses”. Sigurisht që gjithçka do të xhirohet në Versajë. Kur kam një ide të qartë nuk e vë kurrë në diskutim. Kështu edhe pikë: vendos ta marrësh ose të heqësh dorë. Është kjo e bukura e moshës sime: nuk më duhet të punoj për të siguruar jetën”. Edhe sot pasdite është veshur si gjithnjë, si aristokrat i shekullit XVII, përzierë me nota “dark”: flokë tashmë të bardhë, nuk ka më nevojë t‘i bëjë me llak si atëherë kur ishte i ri, të lidhur bisht prapa kokës, kravatë të zezë lëkure, në qafë një varëse me perla të mëdha e ngjyrë gri të errët, me perla është edhe gjilpëra që ka përdorur për të fiksuar kravatën. Sot nuk mban erashkë në duar: zakonisht e hap dhe e përdor gjatë mbrëmjeve mondane, i pëlqen së tepërmi. Para se të mësohej me erashkën nuk dinte ku të fshihte duart. Tregon se ka nisur ta përdorë gjatë viteve të vrullshme ‘70, kur frekuentonte “studion 54″, “ku bënte tmerrësisht shumë vapë dhe nuk kishte ajër të kondicionuar”. Te Karl Lagerfeld dhe te personazhi që interpreton, gjithçka është e studiuar në mënyrë të detajuar, çdo detaj, çdo lëvizje, çdo fjalë. Së shpejti, nëpër kinema, do të dalë një film mbi jetën e tij: “Një trupë më ka ndjekur kudo shkoja për dy vite me radhë, i gjeja kudo, ishte disi e çuditshme. I kam parë xhirimet dhe më është dukur vetja i pazakontë. Nuk e di në se më pëlqeu. Më dukej vetja personazh filmash të animuar”. Filmi titullohet “Lagerfeld Confidential” dhe do të dalë nëpër sallat e kinemave më 10 tetor. Me jakën e grirë e flokët e mbledhur bisht është aq i njohur e i famshëm sa nuk ka mundësi sa të ecë i qetë rrugëve: “Jo vetëm këtu, në Paris. Në gjithë botën. Sikur të isha yll roku. Do më pëlqente shumë të vërtitesha rrugëve e të mos më shqetësonte askush, por është e pamundur. Kam gjithnjë nevojën e një truproje. Janë sikletet e të qenit i famshëm. Është diçka që më pëlqen, do gënjeja po të thosha të kundërtën, por do më kishte pëlqyer të kishte ndodhur kur isha i ri, nuk e di, kur isha 40- vjeçar”. Pikërisht, mosha. Sa vjeç është tani? Datën e lindjes e ka të mjegullt: ai thotë se i përket vitit 1938, por sipas disa burimeve ka lindur në vitin 1933. Diçka është e sigurt: që kur është dobësuar (praktikisht humbi gjysmën e peshës, 43 kilogramë në 13 muaj) e përjeton ruajtjen e formës së re fizike si të ishte një religjion, objekti i kultit të të cilit është adhurimi vetes. “Të rizbuloja kockat ishte diçka e mrekullueshme. Ishin ende aty. Që kur hodha poshtë gjithë ata kilogramë energjitë më janë dyfishuar. Nuk lodhem kurrë, punoj orë e orë e ndihem gjithnjë i freskët, fle mirë, jam i qetë, kam shumë ide”. Si ia del të rezistojë, si ia bën të mos hajë? “Nuk i lejoj kurrë vetes të ha diçka që nuk më lejohet. Kurrë ëmbëlsira, kurrë bukë, kurrë djathë, thuajse kurrë mish. Për fat, për mua punojnë dy kuzhinierë shumë të zotë francezë, që ndërrohem me njëri-tjetrin në turne 24 orësh, të cilët më përgatisin receta të mrekullueshme dhe krejtësisht distike. E di që për njerëzit normalë diçka e tillë është më e ndërlikuar”.Si ia bëni kur dilni për të ngrënë darkë jashtë? “Të ha jashtë? Unë nuk ha kurrë jashtë. Në rast se shkoj në shtëpinë e ndokujt, nuk ha asgjë ose bëj sikur ha. Por nuk është e vështirë; Mjafton të kesh vullnet. E kam bindur veten, falë një lloj autohipnoze, se gjithçka që shëndosh është e shpifur, si të ishte prej plastike. Çokollatë? Është plastikë, nuk e dua. Makaronat? Plastikë. Shikoni, funksionon, mjaft të kesh besim”. Si njeri që i pëlqejnë paradokset thotë duke qeshur: “I admiroj njerëzit që shkatërrojnë veten se unë vetëm ruhem”. Mbi modën nuk duket se ka ndonjë dëshirë të veçantë të flasë. Me vështirësi nis të tregojë se si arrin të kënaqë kërkesat e gjithë atyre shtëpive të modës (As që më kushton gjë), por duke mos dalë për asnjë çast nga vetja. Po kaq me vështirësi tregon edhe përse dikur doli i vetëm në treg me markën e tij, por gjërat nuk funksionuan, ndërkohë që ka pasur sukses të jashtëzakonshëm kur ka punuar për të tjerët. Përçapet kur rrëfen se më shumë se gjysmë shekulli më parë, rruga e tij u nda nga ajo e mikut bashkëmoshatar Yves Saint Laurent. Pasi e nisën bashkë në Paris, Lagerfeld pranon të dizajnojë për Balmain, ndërsa Saint Laurent për Dior. Dior vdes në mënyrë të papritur dhe Saint Laurent, në moshën 21-vjeçare, e sheh veten yll të modës, ndërkohë që Langerfeld duhet të presë gjatë për ta parë suksesin. I duhet të presë shumë gjatë përpara se ta thërrasin për të rigjalluar markën “Chanell” sipërmarrje që i jep rezultate të mrekullueshme. Në rast se ekziston një fjalë që e irriton, atë që jeton mes luksit të shfrenuar, është “ekskluziv”: “Një fjalë e pamëshirshme”. Dhe ai që shpenzon mijëra euro për të blerë një pallto “Chanel”, nuk pranon të blejë diçka ekskluzive? “Absolutisht jo. Është interpretuar gabim. Të blesh diçka të shtrenjtë është e ‘kushtueshme‘. Nuk është e njëjta gjë”. Flet shpejt e nxitimthi, duke u hedhur papritmas nga anglishtja në frëngjisht për të përfunduar te gjuha mëmë, gjermanishtja. Përsërit me qejf atë që ka thënë në disa raste: “Jam një nimfoman i modës, që nuk arrin kurrë orgazmën, nuk kënaqet kurrë plotësisht”. Por thotë edhe që “moda është lumturi, nuk i duroj kolegët e mi që krijojnë duke vuajtur, në fund krijojmë vetëm veshje”. Ka ide shumë të qarta mbi bukurinë femërore, ai që ka pasur rastin të fotografojë gratë më të bukura të globit: “Nuk ekziston një bukuri përcaktuar ose e përcaktueshme, nuk mund të ketë një tjetër Brigitte Bardot, një tjetër Nicole Kidman apo një tjetër Kate Moss. Secila është unike dhe e bukur në mënyrën e saj. E megjithatë i bashkohem asaj që ka shkruar poeti Marlowe: “Nuk ka bukuri pa diçka të pazakontë te proporcionet”. Flet për Gianfranco Ferre, të cilin e fotografoi të veshur si mami të filmi “Bashkë me erën”: “Me të kemi kaluar çaste të mrekullueshme, jemi zbavitur shumë. Ishte një album fotografik në të cilin më lindi ideja të ndërroja katërcipërisht rolet: shërbyes ishin të bardhët, ndërsa të zinjtë, padronë. Kështu që vesha John Galiano-n si kameriere, Manolo Blahnik si lulishtar, Ferre-në si dado. Çfarë të qeshurash. Ja, kështu më pëlqen ta kujtoj të madhin Ferre, mes gjithë asaj alegrie”. Ku i dihet si mund të duket kur heq syzet. Sfera e tij private është e tija dhe vetëm e tija, nuk dihet askush që arrin të futet brenda saj. Diku ka treguar se kur ishte 11 vjeç kishte pyetur të ëmën: çfarë është homoseksualizmi. Ajo i ishte përgjigjur duke u përpjekur ta anashkalonte me dinakëri thelbin: asgjë e rëndësishme, si t‘i kesh flokët e zinj apo të verdhë, vetëm kaq. Dashuria e madhe e Karl Lagerfeld vdiq në vitin 1989, në kthetrat e Sidës: quhej Jacques De Bascher dhe ishte vetëm 38 vjeç. U mbyll në arkivol bashkë me arushin e tij me pelush, Mishkën. Nuk është aspak çudi që pas kaq shumë vitesh Langerfeld ka mbetur kaq i papërshkueshëm, ndoshta edhe në raport me veten e tij. Prej kohësh thoshte: jam imun ndaj dashurisë, nuk do të dashurohem kurrë, jam i dashuruar vetëm me punën. Intervista ka përfunduar, kohës në dispozicion i erdhi fundi. Kajzeri Karl duhet të largohet për t‘u përgatitur, për t‘u ndërruar, për ta gjetur veten duke interpretuar pafundësisht rolin e vet për festim, që mbahet për nder të tij. Nëpër ftesa kodi i veshjesh është përcaktuar me fjalën “sipas dëshirës”. Ai është i përsosur në gjithçka, edhe në detajin më të imët. Të ftuarve mund edhe t‘u shpëtojë ndonjë pakujdesi, jo atij. Festa mbahet në një prej strehave të tij të shumta tejet luksoze; një pallat me shkallë gjigande e me pasqyra të mrekullueshme, ku sallonet pasojnë madhështorë njëri-tjetrin të mbushur me luks, me një kopsht gjigand. Të gjitha këto gjenden vetëm dy hapa larg librarisë së tij. Duhet të themi patjetër se shampanja rrjedh si lumë. Madje, është e vetmja pije që serviret në festë, maksimumi mund të gjesh ndonjë gotë ujë. Një tjetër çast që duhej të ishte zbavitje e relaksim, por që nuk është tjetër veç punë. Kush e di në mund të ekzistojë një çast ku Lagerfeld, akrobati, kameleoni, udhëtari i rafinuar i modës mund të gjejë një çast të lirë për të marrë frymë e për të pushuar. | |
|